Foto: Shutterstock
Komisioni Evropian ka miratuar zyrtarisht pagesën e këstit të parë të fondeve për Malin e Zi në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Zhvillim, duke konfirmuar përparimin e vendit në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe përkushtimin ndaj perspektivës evropiane.
Sipas njoftimit të përbashkët të Ministrisë së Çështjeve Evropiane dhe Ministrisë së Financave, Mali i Zi ka marrë 10,2 milionë euro nga BE.
- 4,7 milionë euro janë transferuar si mbështetje buxhetore përmes një kredie të favorshme,
- 5,5 milionë euro do të shkojnë për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat: 2,6 milionë euro janë kredi, ndërsa 2,9 milionë euro janë grante (ndihmë pa kthim).
Këto fonde janë rezultat i zbatimit të reformave kyçe si: krijimi i regjistrit publik të ndërmarrjeve shtetërore, rritja e transparencës në marrëveshjet ndërkombëtare, prezantimi i certifikatave energjetike, zhvillimi i rrjeteve të internetit të shpejtë, digjitalizimi i plotë i shërbimeve publike, miratimi i ligjeve të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.
Afati për zbatimin e këtyre reformave është 28 shkurt 2025, por Mali i Zi mund të përfitojë edhe një afat shtesë prej 24 muajsh për përfundimin e reformave pa humbur fondet e BE-së.
Gjithashtu, gjatë gjysmës së parë të vitit, është arritur përparim i mëtejshëm në fusha si planifikimi hapësinor dhe energjetika, çka është përfshirë në raportin e dytë gjashtëmujor, i miratuar nga Qeveria më 10 korrik dhe i dorëzuar Komisionit Evropian.
Autoritetet në Mal të Zi theksojnë se pagesa e këtij kësti është dëshmi e qartë e rezultateve konkrete në zbatimin e reformave dhe përdorimit efikas të fondeve evropiane për zhvillim dhe integrim në BE.
Ministritë përgjegjëse mbeten të përkushtuara për të përmbushur reformat e planifikuara dhe për të menaxhuar në mënyrë të koordinuar fondet evropiane për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.