FRANCA PËRBALLË BORXHIT KATASTROFIK / 3 TRILIONË EURO, QEVERIA PRAG KOLAPSI, NDËRHYN FMN-ja

Franca po përballet me një borxh marramendës prej afro 3 trilionë eurosh dhe së shpejti mund të detyrohet të pranojë një operacion shpëtimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa qeveria e Emmanuel Macronit është në prag të kolapsit.

Eric Lombard, Ministri i Ekonomisë dhe Financave, lëshoi një paralajmërim të ashpër duke thënë se “ekziston një rrezik” që FMN-ja të detyrohet të shpëtojë Parisin.

Ky paralajmërim vjen në mes të parashikimeve të përhapura kohët e fundit se qeveria franceze mund të bie brenda pak javësh, pasi Kryeministri François Bayrou, 74 vjeç, ka njoftuar se do të kërkojë një votë mosbesimi në Parlament.

Partitë opozitare janë zotuar të rrëzojnë qeverinë e tij. Nëse qeveria bie, vendi do të mbetet pa drejtim dhe pa buxhet, në një kohë kur Franca po përballet me një borxh prej 3 trilionë eurosh dhe një deficit prej 5.4% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se një “shpërthim borxhi” do të ishte katastrofik për një ekonomi që nuk ka pasur tepricë buxhetore që nga viti 1974. Kjo krizë ekonomike që po afrohet përbën një goditje të rëndë për Presidentin Emmanuel Macron, i cili dikur pretendonte se ishte “Mozarti i financave”.

Kryeministri Bayrou ka propozuar një paketë prej 40 miliardë eurosh me shkurtime dhe rritje taksash, duke përfshirë heqjen e dy festave zyrtare dhe uljen e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor.

Ky buxhet ka shkaktuar zemërim në të gjithë skenën politike.

Votimi i besimit në qeveri, i planifikuar të mbahet më 8 shtator, konsiderohet tani si akti i fundit i dëshpëruar i një kryeministri, i cili ka ditët e numëruara.

SHARE