Ordinancat dentare duhet të jenë të disponueshme në 60 shkolla në Mal të Zi duke filluar nga viti i ardhshëm. Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Jovana Zhivkoviq, ka sqaruar se përfaqësuesit e atij departamenti kanë vizituar të gjitha institucionet arsimore në Mal të Zi.
“Shumë shkolla nuk kanë kapacitet hapësinor që të sigurojnë ambiente për të hapur një ordinancë në atë shkollë. Që të mos ketë frikë tek qytetarët, të gjithë fëmijët do të kenë kujdes shëndetësor. Është e rëndësishme që qytetarët të ndërgjegjësohen për shëndetin oral”, tha Zhivkoviq.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për një projekt shumë dimensional.
“Ne jemi dëshmitarë se administrata ka lënë gjurmë në të gjitha këto. Ka pasur edhe tenderë të pasuksesshëm, por tashmë jemi duke paralajmëruar rikonstruksionin e klinikave dhe blerjen e pajisjeve të reja. Ne shohim zgjidhjet e problemeve dhe dritën në fund të tunelit”, tha ajo e ftuar në programin e mëngjesit të TVMZ.
Nga ana tjetër, dentistët kanë frikë. Kryetarja e Sindikatës Profesionale të Stomatologëve, Angjellka Duborija, pyet se kush do t’i monitorojë punimet e përmendura, kush do të kujdeset për cilësinë e tyre, si dhe është e shqetësuar për numrin dhe kostot.
“Ne kemi frikë nga reforma dhe mendojmë se nuk janë bërë hapa të mjaftueshëm për ta korrigjuar. Nuk ka asnjë analizë të gjendjes, nuk ka të dhëna për patologjinë dentare të fëmijëve dhe gjendjen e dhëmbëve. Ne supozojmë se çdo gjë mungon në sistem. Do të ketë kosto të mëdha dhe vërtet dyshojmë në cilësinë e asaj reforme”, beson Duborija.
Sipas saj, jo çdo shkollë do të fitoj stomatolog, madje shumë prej tyre nuk kanë kapacitet as të hapin klinika.
“Nuk kemi as specialistë, sepse reforma e 2018-ës i hoqi specialistët. Nuk u shpallën as konkurse. Nëse nuk e financoni veten, shteti nuk do të paguajë për specializimin. Ne nuk jemi kundër reformës, por duhet ditur inputi i situatës dhe analiza e duhur”, ka theksuar Duborija.