Sot është konstituuar mbledhja e re e Parlamentit të Malit të Zi.
Seancën e drejtoi deputeti më i vjetër i koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Millan Lekiq, i cili tha se me publikimin e rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ka filluar mandati i deputetëve.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Nikolla Mugosha, i cili lexoi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, tha se pret që kjo mbledhje e Kuvendit të ketë sukses në zbatimin e reformës zgjedhore brenda afatit ligjor.
Mugosha u tha deputetëve se sot po marrin mandat të lirë, që do të thotë se po veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre.
Pika e parë e rendit të ditës, e cila u miratua njëzëri, ishte paraparë të ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por duke qenë se kryetari i Kuvendit nuk mori propozim për kandidat për atë post, propozoi pushim.
Më pas në sallën e Kuvendit është mbajtur një koktej.
Në seancë, ndër të tjera, morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, si dhe përfaqësues të gjyqësorit.
Deputet nga radhët e partive shqiptare do të jenë, nga radhët e Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj (ASH), Nikollë Camaj (LDSH), kurse nga koalicioni i Aleancës Shqiptare, Genci Nimanbegu (Forca e Re Demokratike).
Ndërkaq, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, i cili ishte pjesë e koalicionit parazgjedhor me PDS-në, do të përfaqësohet nga deputeti, Mehmet Zenka.