Si të Pastroni Dërrasën e Prerjes së Mishit – Mënyrat Natyrale në Shtëpi

Një nga ushqimet më të preferuara për të gjithë Shqiptarët pa dyshim që është mishi.

Përdoret në thuajse çdo gatim duke filluar që nga gjellërat e deri tek byreku.

Shija e tij e mirë përtej gatimit, vjen edhe nga cilësia, freskia, prerja dhe ruajtja që mishi ka që nga momenti i blerjes.

Me siguri sa herë blini mish te freskët në supermarkete apo dyqane, keni venë re dërrasat e mishit të cilat shërbejnë si mbështetëse për t’a prerë atë.

Përtej dyqaneve, këto dërrasa janë shumë të përhapura dhe të domosdoshme edhe në shtëpi, pikërisht për komoditetin që ofrojnë.

Nëse e keni në shtëpi një të tillë e dini sa e nevojshme është, por për shkak të funksionit që ka kjo dërrasë mund të jetë shumë lehtë burim bakteresh.

Sasia e ushqimeve që kalon në këto dërrasa, lë pas edhe baktere apo mikrobe të ndryshme.

Mikrobe të cilat mund të kthehen në një problem për shëndetin, nëse nuk trajtohen siç duhet.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org, do të gjeni të shpjeguar se si të sterilizoni me mënyra natyrale dërrasën tuaj të mishit.

Si ta pastroni

Që të mbani mikrobet larg dhe të zgjasni sa më shumë përdorimin e dërrases tuaj, zgjidhni gjithnjë mënyrat natyrale.

Larja me detergjentin e enëve nuk është aspak e këshillueshme, kjo pasi kimikatet mund të mbesin në sipërfaqen e dërrasës.

Druri duke qënë një material natyral ka vetinë të thithë brenda shumë nga substancat e jashtëme.

Detergjeti do të lëshonte kimikate të cilat më pas do të depërtonin në ushqimet tuaja.

Mënyra më e mirë për t’a pastruar në thellësi dërrasën tuaj është ajo me sodë buke, uthull apo limon.

Teksa e keni lagur pak me ujë dhe pastruar tërësisht nga mbetjet e ushqimeve dërrasën tuaj, hidhni  në sipërfaqen e saj rreth një lugë gjelle sodë buke dhe gjysmën e një limoni ose pas uthull.

Me anë të një sungjeri enësh të pastër ose të ri, fërkoni për disa minuta dërrasën e mishit nga të gjitha anët.

Shpëlajeni më pas me ujë të bollshëm dhe lëreni të thahet në ajër të pastër para se ta fusni në raft.

Kjo metodë përveçse do t’a pastrojë tërësisht dërrasën tuaj do t’i heqë edhe njolla të ndryshme të shkaktuara nga ushqimet.

Dërrasat plastike

Në këtë atikull do t’i qujmë dërrasa plastike, megjithëse nuk kanë asnjë lidhje me materialin e drurit apo dërrasës.

Janë alternativa e re ku mund të prisni mishin apo perimet tuaja.

Përbehen nga poliestra dhe kryejnë funksionin e zakonshëm të bazës mbështetëse ku prihen ushqimet.

Sipas ekspërtëve këto matriale nuk i mbajnë brenda mikrobet dhe bakteret.

Ndonëse jo aq të bukura në pamje sa dërrasat e drurit, ato plastiket mund të jenë më të rehatëshme në përdorim.

Dërrasat plastike mund t’i lani me lehtësi si çdo enë tjetër me detergjentin e enëve, sa herë që të dëshironi.

Konsiderohen si shumë higjenike në përdorim dhe mund t’i gjeni në çdo supermarket apo dyqan./AgroWeb.org

SHARE