Sot në Shkup, ministri i Ministrisë së Adminstratës Publike Marash Dukaj ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë së informacionit me Ministrin e Shoqërisë Informatike dhe të Administratës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu.
“Siguria kibernetike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në shoqëritë tona, duke pasur parasysh përparimin e shpejtë të teknologjisë dhe varësinë në rritje nga sistemet digjitale. Të gjitha vendet e rajonit përballen me kërcënime të shumta, prandaj bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është i nevojshëm për të luftuar në mënyrë efektive kundër këtyre kërcënimeve dhe për të mbrojtur shoqërinë, ekonominë dhe infrastrukturën tonë. Gëzohem për nënshkrimin e Memorandumit të sotëm dhe shkëmbimin e ideve se si mund të përmirësojmë sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor”, tha ministri Dukaj.
Ministri Aliu përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit dhe shprehu besimin se në këtë mënyrë do të përmirësohet shkëmbimi i informacioneve dhe praktikave të mira në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë së informacionit.