Akullore Kremoze me Lajthi

Pas kësaj recete nuk keni për ta blerë më akulloren nëpër dyqane.

E shijshme, e thjeshtë dhe me aromën fantastike të çokollatës dhe copat krokante të lajthive, çfarë mund të kërkoni më shumë nga një ëmbëlsirë e tillë.

Provojeni ta përgatisni me hapat që ju shpjegon AgroWeb.org dhe do të mrekulloni të dashurit tuaj me një shije unike e të papërsëritshme.

Përbërësit

  • 2 gota me qumësht
  • 300ml pana
  • 4 të verdha vezësh
  • Gjysmë gote me sheqer
  • 1 bustin me sheqer vanilje
  • 200 g lajthi
  • 200g çokollatë

Përgatitja

Si fillim thyeni vezët dhe në një tenxhere kaloni vetëm të verdhat, të cilat do t’i rrihni me telin e kuzhinës.

Më pas aty shtoni edhe sheqerin dhe mundohuni të formoni një masë kremoze.

AgroWeb.org ju sugjeron që të mundoheni që kokrrat e sheqerit t’i shkrini plotësisht.

Tani shtoni edhe qumështin, i cili duhet të jetë me yndyrë, dhe më pas panën e ëmbëlsive dhe përsëri t’i rrihni.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe lëreni në zjarr mesatar.

MUndohuni që ta largoni nga zjarri sapo të formohen bulëzat e para që lajmërojnë se masa po vlon.

Mos harroni që masën duhet ta përzieni gjatë gjithë kohës me telin e kuzhinës, do t’ju duhet rreth 15 minuta për të gjithë procesin.

Kur të shihni që masa do të ketë nisur të mpikset atëherë futeni të gjithë tenxheren në një tas me ujë të ftohtë dhe lëreni aty për disa momente.

Ndërkohë AgroWeb.org ju këshillon që të bluani lajthitë, por jo derisa të bëhen pluhur.

Duhet të jenë të thërrmuara, në mënyrë që të ndihen krokante kur të përgatisni akulloren.

Shtojini lajthitë tek tenxherja dhe kalojeni të gjithë masën në një enë.

Enën mbylleni me kapak dhe futeni në ngrirje për 30 minuta.

Ndërkohë në një xhezve ngrohni 100ml pana ëmbëlsirash dhe shkrini aty çokollatën.

Nxirreni akulloren nga frigoriferi dhe shtoni aty çokollatën e shkrirë, përziejeni mirë dhe futeni përsëri në ngrirje.

Lëreni në frigorifer derisa masa të jetë ngrirë plotësisht.

Më pas mjafton ta shijoni me familjen tuaj./AgroWeb.org

SHARE