KËSHILLTARËT E POZITËS DHE OPOZITËS PRESIN QË GJUKANOVIQI TË MBAJË PRTEMTIMIN DHE TI SHPALLIN ZGJEDHJET LOKALE NË TUZ

Këshilltarët e pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit, vlerësuan për gazetën e përditshme “Vijesti”, se  “nuk kanë dyshim” që Tuzi së shpejti do të marrë statusin e Komunës së plotë.

Një vit më parë, Parlamenti i Malit të Zi miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Organizimin territorial, i cili përcakton që Tuzi do të marrë statusin e  komunës së plotë. Implementimi i Ligjit, i cili  është publikuar në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi, fillon më 1 shtator të këtij vitit.

Këshilltari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikollë Gegaj, tha se partia e tij është serioze dhe se respekton ligjet e miratuara dhe të gjitha marrëveshjet. “Ashtu ishte edhe deri me tani, konkretisht në lidhje me statusin e Komunës së Petnicës dhe Gucisë, nuk dyshoj se kështu do të jetë edhe  lidhur me statusin e Komunës së Tuzit”, deklaroi Gegaj.

Ai tha se ai pret, ashtu siç është përcaktuar me ligj, se Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në fillim të shtatorit do të shpallë zgjedhjet e para në këtë komunë.  “Afati për mbajtjen e zgjedhjeve është nga 60  deri në 90 ditë. Është e dëshirueshme përpara se të shpallen zgjedhjet kryetarët e partive të ulen dhe të bien dakord për datën e zgjedhjeve”, deklaroi Gegaj.

Ndërsa Zëvendës Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe këshilltari i kësaj parti në Kuvendin e Tuzit, Nik Gjeloshaj vlerësoi se Ligji, me të cilin Tuzi merr  statusin e komunës, do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2018 dhe se “gjithçka është e qartë”.

“Kam punuar shumë rreth komunës. Veçanërisht që nga qershori i vitit 2016 dhe çdo detaj e kam përcjellë, së pari si deputet, dhe më pas si sekretar shtetëror i Ministrisë së Administratës Publike. Nuk ka asnjë detal më të vogël që mund të nxjerr për ta lënë në dyshim. Ligji është i qartë e gjithashtu edhe procedurat, kështu që, në bazë të kësaj, do të kemi zgjedhje për komunën e plotë të Tuzi deri në fund të nëntorit “, deklaroi  Gjeloshaj. Ai theksoi se ishte e nevojshme të themelohej ASH-ja që Tuzi të bëhet komunë edhe atë “pa referendum, siç kanë premtuar”.

“Unë personalisht hyra në ujërat politike vetëm për shkak të komunës”, tha Gjeloshaj.  Gjeloshaj theksoi se korriku i vitit 2016 ishte kyç për këtë që do të vijoj me 1 shtator dhe se ai është veçanërisht i kënaqur dhe krenar që “personalisht politikisht ka iniciuar këtë bisedë si deputet në Kuvend dhe që i është vënë vula nga dy liderë të cilët shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë i respektojnë shumë” tha Gjeloshaj.

“Me Marrëveshje, vullneti të mirë dhe mirëkuptim të partive në pushtet të kryesuar nga PDS, kemi arritur deri te shumica  e nevojshme në Parlamentin e Malit të Zi dhe përmes mbështetjes kemi përgjegjësi për zbatimin e ligjit”, tha Gjeloshaj.

Ndërkaq, Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Dega e Malësisë, njëherë edhe këshilltarë i kësaj parti në Kuvendin e Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj, vlerësoi se ndoshta kësaj herë do të vij deri të realizimi i komunës së plotë, pasiqë është ardhur deri te ajo pikë, kur është vështirë që të shtyhet më kjo çështje.

“Ne si parti nuk ndjehemi si të mashtruar, sepse kurrë as nuk u kemi besuar, por populli, votuesit e tyre dhe partnerët e tyre politik munden të ndjehen ashtu, pasiqë me dekada i kanë mashtruar duke e shtyrë këtë çështje”, theksoi Ivanaj.

Ai tha se ata që e kanë shtyrë këtë çështje dhe e kanë kundërshtuar kërkesën e përhershme parimore të Lidhjes Demokratike Shqiptare, tani duan ti marrin meritat për vete “në vend që të japin përgjegjësi që Malësinë e kanë lënë pa vetëqeverisje lokale, tha Ivanaj.

“Ne shpresojmë se nuk do të shpikin përsëri “arsyen”për të cilën çështja e komunës duhet të shtyhet deri në njoftimin e mëtejshëm”,  deklaroi Ivanaj.

SHARE