Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Financave i Malit të Zi, Novica Vukoviq, deklaroi se vendi ka bërë një hap të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, duke përmbyllur me sukses Kapitullin 5 – Prokurimet publike, pjesë e negociatave me BE-në.
Sipas tij, ky është një konfirmim i qartë se Mali i Zi është i gatshëm të menaxhojë fondet publike në mënyrë transparente, efikase dhe të përgjegjshme, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.
Vukoviq shprehu kënaqësinë që gjatë mandatit të tij si ministër është përmbyllur i pari nga dhjetë kapitujt që janë në kompetencën e Ministrisë së Financave.
Ai theksoi se ky sukses nuk është vetëm arritje për dikasterin që ai drejton, por një nxitje për të gjithë vendin që të vazhdojë me reformat.
Në periudhën e fundit janë ndërmarrë reforma të thella në sistemin e prokurimeve publike – duke përfshirë digjitalizimin, përshpejtimin e procedurave, forcimin e kontrollit dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai theksoi rëndësinë e këtij kapitulli për qytetarët, pasi prokurimet publike ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shkollave, spitaleve, infrastrukturës dhe shërbimeve.
Përmbyllja e Kapitullit 5 vjen pasi Mali i Zi mori vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian, duke konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret për përmbyllje dhe se nuk nevojiten më negociata për këtë fazë.
Vendimi do të formalizohet në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet sonte, ku delegacionin e Malit të Zi do ta kryesojë kryeministri Millojko Spajiq, së bashku me ministrat Vukoviq, Ibrahimoviq dhe Gorçeviq.
Ky është kapitulli i katërt që Mali i Zi mbyll pas marrjes së IBAR-it (Raporti i përkohshëm për vlerësimin e gatishmërisë) në qershor të vitit të kaluar, dhe i shtati në përgjithësi që mbyllet në kuadër të procesit të anëtarësimit.