Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar krerët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për takim konsultativ me qëllim të konsensusit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu.
Kurti nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se thirrjen drejtuar krerëve të subjekteve politike po e bën pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”, theksoi ai.
Kurti theksoi se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, i është drejtuar “të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”.