Edhe pas përfundimit të konfliktit me Izraelin dhe sulmit mbi impiantet bërhtamore nga bombarduesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Irani nuk gjen qetësi.
Këtë herë autoritetet kanë nisur hetimet, arrestimet e ekzekutimet e personave që dyshohen si bashkëpunëtor të Izraelit, kryesisht të inteligjencës Mossad.
Ndonëse nuk ka një numër të personave të arrestuar, apo edhe atyre të ekzekutuar nga Irani, masat vijnë pas një infiltrimi të pashembullt të shërbimeve iraniane të sigurisë nga agjentë të huaj.
Mediet ndërkombëtare bëjnë të ditur se përveç masave të brendshme, presioni është rritur edhe mbi gazetarët iranianë që punojnë jashtë vendit.
Sipas të njëjtave burime familjarët e disa prej tyre janë arrestuar për të ushtruar trysni që ata të largohen nga puna. Ndërkohë, qytetarët kanë marrë mesazhe kërcënuese për ndjekjen e faqeve të ndaluara në rrjete sociale.
Nga ana tjetër, aktivistët I konsiderojnë këto hapa si një përpjekje për të frikësuar popullsinë dhe për të heshtur çdo formë pakënaqësie në vend.
Vlen të theksohet se gjatë konfliktit sipas autoriteteve izraelite u vranë 11 shkencëtarë dhe 30 zyrtarë të lartë iranianë dhe u goditën 900 objektiva.