Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord të enjten për të zgjatur edhe për gjashtë muaj të tjera sanksionet ndaj Rusisë, duke shmangur rrezikun që Hungaria pro-Kremlinit të bllokonte masat, sipas zyrtarëve të BE-së.
Gjatë samitit në Bruksel Bashkimi europian vendosi siguroi që sanksionet e BE-së për shkak të luftës në Ukrainë përfshirë ngrirjen e më shumë se 200 miliardë eurove në asete të Bankës Qendrore Ruse të mbeten në fuqi deri të paktën në fillim të vitit 2026.
Zyrtarët kishin përgatitur plane emergjente në rast se kryeministri hungarez Viktor Orbán do të refuzonte të mbështeste vazhdimin e sanksioneve.
Frika ishte se një bllokim nga Budapesti mund të dobësonte ndjeshëm presionin ekonomik të BE-së mbi Rusinë, në një kohë kur SHBA po shtyn për përpjekje paqësore.
Megjithëse BE arriti të sigurojë vazhdimësinë e masave ekzistuese, nuk mundi të miratonte një paketë të re sanksionesh për shkak të një bllokade nga Sllovakia, aleate e Hungarisë.
Sllovakia është ende shumë e varur nga gazi rus dhe përfiton nga tarifat e tranzitit për gazin që kalon nëpër territorin e saj.
Në një fjalim me video, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje liderëve të BE-së që të miratojnë një paketë të fortë që të godasë tregtinë e naftës ruse, flotën e anijeve të fshehta, bankat dhe zinxhirët e furnizimit që sjellin pajisje për prodhimin e armëve.
Megjithatë, zyrtarët konfirmuan se një përpjekje për të ulur çmimin tavan të eksporteve të naftës ruse është pezulluar, pasi nuk mori mbështetjen e nevojshme nga Uashingtoni në kuadër të nismës më të gjerë të G7-ës.