Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është nikoqir i Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Podgoricë, me të cilin përfundon kryesimi i Malit të Zi me këtë nismë rajonale, njoftoi zyra e presidentit.
Në hapje, Millatoviq tha se takimi i sotëm konfirmon vitin që solli sfida të shumta, të cilat, siç tha ai, e bënë edhe më të dukshme rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit të ngushtë për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e përhershme të Evropës Juglindore.
Ai vlerësoi se viti i kaluar është shënuar me një sërë zhvillimesh pozitive në agjendën evropiane, hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, dhënien e statusit kandidat për Sarajevë, Kishinau dhe së fundi edhe miratimin e liberalizimit të vizave për Prishtinën.
“I vendosur si prioritet i përgjithshëm i presidencës sonë, integrimi evropian mbetet katalizatori kryesor për reformat e nevojshme politike, institucionale, ekonomike dhe të sigurisë për aspirantët nga rajoni ynë dhe më gjerë. Rajoni duhet të gjejë një konsensus për të ecur përpara me përpjekje të përbashkëta dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. Pra, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duhet parë si një fjalë e njëhershme, por si një ekuilibër i përhershëm i përgjegjësisë dhe përfitimeve reciproke”, tha Millatoviq.
Më 1 korrik, Maqedonia e Veriut do të marrë presidencën e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) nga Mali i Zi.