BORRELL: BE-ja E GATSHME TË MARRË MASA NDAJ KOSOVËS DHE SERBISË NËSE DUHET

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë të gatshme të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shihet progres në uljen e tensioneve. 

Në një konferencë për media pas diskutimeve me ministrat e jashtëm të BE-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe tensioneve të fundit mes dy vendeve, Borrell tha se në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel u ofroi presidentit të Serbisë, Aleksandr Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një udhërrëfyes se si të dilet nga kriza, por “fatkeqësisht nuk pati një rezultat të menjëhershëm”.

“Vendet anëtare kanë nënvizuar shqetësimin për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kam cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën në përputhje me deklaratën e vendeve anëtare, të bërë më 3 qershor. Dhe në minutat e fundit mirëpritëm lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Vendet anëtare do të marrin masa nëse duhet për ta rritur levën e BE-së dhe për ta përkrahur dialogun për normalizim”, tha Borrell.

Borrell ka insistuar se duhet mbajtur zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës, por me kusht që të marrin pjesë serbët e Kosovës në zgjedhje.

“Të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për t’i zbatuar obligimet nga dialogu. Vendet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Është thënë se nga vendet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me të dyja palët. Por vendet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”, tha Borrell.

Ai theksoi se masat e vendeve anëtare do të jenë politike dhe financiare, por shtoi se gjithashtu ato “duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme”.

SHARE