Foto: balkanrivers.net
Një tjetër hap i rëndësishëm është shënuar këtë javë në rrugëtimin për përfshirjen e Luginës së Vjosës në listën e zonave të mbrojtura të UNESCO-s.
Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka miratuar dosjen e aplikimit, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar të merret në Sesionin e 37-të të programit MAB, i planifikuar për muajin shtator 2025.
Lajmi u bë i ditur kryeministri Edi Rama.
“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës. Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është MODELI i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, shkroi mes tjerash Rama.
Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe i Shkencave të Tokës pranë programit “Njeriu dhe Biosfera” ka informuar Komisionin Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komiteti Këshillues, që Lugina e Vjosës të njihet zyrtarisht si një Rajon i Rezervës së Biosferës.