KOSOVA GATI TË PRESË EMIGRANTËT / QEVERIA MIRËPRET PLANIN E BRITANISË PËR NGRITJEN KAMPEVE

Foto: ZËRI

Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të diskutuar me Mbretërinë e Bashkuar, lidhur me propozimin për ngritjen e “qendrave” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.

Deklarata ka ardhur pas raportimeve se Mbretëria e Bashkuar po e konsideron Kosovën si një nga vendet e mundshme për strehimin e migrantëve që kanë përfunduar procesin e apelimit për azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu është shprehur se ‘dëshirojmë të ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar, mikun, partnerin dhe aleatin tonë, si dhe qeverinë e saj Laburiste’.

Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrin në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch është shprehur e shqetësuar më herët se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.

Në një deklaratë të fundit, Human Rights Watch u ka bërë thirrje që BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar të ndalojnë së përdoruri Ballkanin si një “magazinë për migrantët”.  

SHARE