KOS: SHQIPËRIA, SHANSE REALE PËR ANËTARËSIM NË BE

Foto: Klan Kosova

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, shpreh optimizëm për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se procesi është sot më i lëmuar falë përkushtimit të vendit për reformat e kërkuara nga Brukseli.

Në një intervistë për televizionin gjerman WELT, Kos theksoi se gjasat që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së brenda vitit 2030 janë shumë të mëdha.

“E kuptoj shumë mirë zhgënjimin në Ballkanin Perëndimor, pasi vij vetë nga ky rajon. Për të bërë një krahasim, nëse Ukraina do të duhej të priste po aq sa Maqedonia e Veriut, negociatat me Kievin do të fillonin në vitin 2045, gjë që nuk është e pranueshme. Kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,” tha Kos.

Ajo vlerësoi përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke theksuar se këto vende po avancojnë me reforma që transformojnë ekonominë dhe aspekte të tjera të jetës.

“Nëse ritmi vazhdon kështu, mund të përfundojmë negociatat me Malin e Zi deri në fund të 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të 2027. Kjo krijon një mundësi reale që të dyja vendet të jenë anëtare të BE-së deri në vitin 2030,” shtoi ajo.

Kos mbështeti gjithashtu propozimin gjermano-slloven për heqjen e kërkesës për unanimet në vendimmarrjen për anëtarësimin e vendeve të reja në BE, duke e cilësuar atë si një hap drejt thjeshtimit të procesit.

“Vendimet përfundimtare i përkasin Këshillit Evropian, por duhet treguar seriozitet ndaj vendeve kandidate që po ecin në drejtimin e duhur,” theksoi ajo.

SHARE