NË NJËQIND DITË PËRMES APLIKACIONIT „NDALOHET PIRJA E DUHANIT“ JANË BËRË 463 KALLËZIME

Qytetarët malazezë përmes aplikacionit “Ndalohet pirja e duhanit” nga 22 dhjetori i vitit të kaluar deri në fund të marsit të këtij viti kanë dërguar 463 kallëzime, numri më i madh i të cilave i referohet shkeljeve të Ligjit për Kufizimin e Përdorimit të Produkteve të Duhanit në objektet hotelierike, bëhet e ditur nga Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CeMI).

Ata theksuan se analiza e raporteve nxjerr në pah të dhëna shkatërruese për mos respektim të Ligjit për Kufizimin e Përdorimit të Produkteve të Duhanit.

“Arsyet për këtë gjendje janë gjobat jashtëzakonisht të ulëta dhe një sistem jashtëzakonisht joefektiv i mbikëqyrjes inspektuese. Nga të gjitha raportet e pranuara, Drejtoria i është përgjigjur zyrtarisht më pak se shtatë për qind të raporteve (32 raporte) deri në fund të marsit, me një kohë mesatare prej tetë ditësh për kryerjen e inspektimit pas pranimit të raportit”, thuhet në njoftim.

Siç shtohet, edhe pse disa objekte hoteliere janë raportuar disa herë, nuk ka pasur reagime nga Drejtoria për Çështje Inspektuese për mbikëqyrjen e kryer.

“Në anën tjetër, qytetarët në raportimet e tyre kanë theksuar se disa pronarë objektesh pas pagesës së gjobës nuk presin mbikëqyrje tjetër dhe besojnë se nuk duhet të respektojnë më rregulloren ligjore për ndalimin e pirjes së duhanit”, ka thënë nga CeMI.

Shefja e OBSH-së në Mal të Zi, Mina Brajoviq, tha se kontrolli i zbatimit të rregulloreve për ndalimin e përdorimit të produkteve të duhanit është një hallkë e dobët në sistemin e reagimit ndaj epidemisë së duhanit në Mal të Zi.

“Të gjitha të dhënat e disponueshme tregojnë për një “problem kronik” të kahershëm në kuptimin e një numri të pamjaftueshëm inspektorësh. Për problemin “e vjetër” të përdorimit të duhanit, duhet të insistojmë në një qasje inovative, të përdorim potencialin e teknologjive dixhitale dhe të forcojmë partneritetin me sektorin joqeveritar”, theksoi Brajoviq.

SHARE