PRESIDENTI BEGAJ VIZITË ZYRTARE NË KROACI

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci, ndërkohë është pritur me ceremoni nga homologu i tij kroat, Zoran Milanoviq.  

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidentin Milanoviq, presidenti Begaj foli mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet rajonale dhe çështje të tjera.

Begaj ka theksuar se me homologun e tij kanë ndarë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-kroate sot janë në ditën e tyre më të mirë, sipas tij, falë marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy popujve.

Presidenti Begaj tha se dokumenti i partneritetit strategjik i firmosur midis dy vendeve i ka dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Gjithashtu nënvizova se Shqipëria është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian (BE) për sa i përket politikës së saj të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Duke u ndalur tek bashkëpunimi rajonal vlerësova në mënyrë të veçantë mbështetjen e plotë që presidenti Milanoviq dhe institucionet kroate i kanë dhënë Kosovës, si në kuadër të procesit të njohjeve ashtu dhe në atë të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, por edhe për liberalizimin e vizave”, tha Begaj.

Ai ka shtuar se gjithashtu ndanë mendimin si dy vende anëtare të NATO-s, se roli dhe angazhimi i përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit është dhe mbetet mjaft i rëndësishëm.

“Në këtë këndvështrim nënvizuam interesin e përbashkët dhe nevojën e një koordinimi midis nesh që edhe Kosova të bëhet sa më parë pjesë e kësaj aleance”, tha Begaj.

Begaj do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, si dhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare.

SHARE