RUSIA SHKATËRRON ARMËT AMERIKANE / UKRAINA NUK MBRON ARMATIMET E KËRKUARA ME NGULM

Rusia ka zbatuar menjëherë në frontin e luftës vendimin e saj për të mos lejuar trupat ukrainase të marrin në dorëzim dhe të përdorin armët perëndimore, një ndihmë kjo që Ukraina e ka kërkuar nga aleatët që nga nisja e konfliktit më 24 shkurt. Ministria e mbrojtjes ruse bën me dije se raketat e saj Kalibr shkatërruan mëngjesin e së mërkurës një depo në rajonin e Zaporizhzhia, e cila përmbante një sasi shumë të madhe armësh dhe municionesh për trupat ukrainase të siguruara nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera europiane. Sulmi erdhi menjëherë pas deklarave ku Rusia akuzoi Perëndimin se “po i hidhte benzinë zjarrit” duke furnizuar me armë Ukrainën. Ministrat e mbrojtjes nga vendet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian u takuan në bazën ajrore të Shteteve të Bashkuara në Ramstein në Gjermani një ditë më parë, ku pati një angazhim pothuajse njëzëri për të dërguar më shumë mbështetje ushtarake për ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë deklaruar se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë por Uashingtoni dhe aleatët e tij europianë kanë furnizuar Kievin me sasi të mëdha armësh, duke përfshirë dronë dhe raketa anti-ajrore. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi të martën se armatimet e dërguara nga perëndimi në Ukrainë nënkuptojnë në thelb se aleanca e NATO-s është tashmë e angazhuar në luftë me Rusinë. Ai paralajmëroi se këto armë do të jenë një objektiv legjitim për Rusinë për t’i shkatërruar dhe për të mos i lejuar ato në duart e ukrainasve.

SHARE