Deputetët e Frontit Demokratik nuk do të marrin pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit në Cetinë sepse, siç tha deputeti Sllaven Radunoviq, ajo është mbledhur në mënyrë të kundërligjshme dhe jolegjitime. Ai theksoi se FD nuk do të marrë pjesë në asnjë seancë në Cetinë derisa të gjithë pjesëmarrësit në koalicionin qeverisës të dakordohen qartazi dhe të dënojnë sulmin ndaj fëmijëve nga Nikshiqi, autobusi i të cilëve u gjuajt me gurë për Pashkë.
Deputetët e Socialdemokratëve të Malit të Zi (SD) nuk do të votojnë për zgjedhjen e qeverisë së re të 43-të të Malit të Zi, tha deputeti i kësaj partie, Damir Shehoviq. “Ata që duan ta mbështesin këtë koncept, të marrin pjesë në të, kanë të drejtë ta bëjnë këtë, udhë të mbarë. Ne do të mbetemi kundërshtarë të një qeverie të tillë me të njëjtin zell me të cilin ishim kundërshtarë të qeverisë së Krivokapiqit”, tha Shehoviq.