OSMANI KËRKON PËRSËRI HEQJEN E MASAVE NDAJ KOSOVËS NË TAKIM ME AMBASADORËT E BE-së

Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përsëri nga Bashkimi Evropian (BE) t’i heqë masat “e padrejta” ndaj Kosovës, gjatë një takimi të mërkurën me ambasadorët e vendeve të bllokut evropian në Prishtinë.

“Theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së”, shkroi Osmani në Facebook.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Një zëdhënës i bllokut i tha Radios Evropa e Lirë në shkurt se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

Osmani dhe liderë të tjerë të vendit kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masave, siç ka kërkuar së voni edhe Parlamenti Evropian.

Ndërkohë, Osmani tha se në takimin e së mërkurës me ambasadorët e vendeve të bllokut bisedoi edhe për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

SHARE