KUVENDI I ULQINIT I BËRI THIRRJE QEVERISË QË TË PËRFSHIJË KOMUNITETIN LOKAL NË PLANIFIKIMIN E TË GJITHA PROJEKTEVE TË ARDHSHME NË PLAZHIN E MADH

Foto: Kodex.me

Kuvendi i Komunës së Ulqinit në një seancë të jashtëzakonshme miratoi sot disa konkluzione duke i bërë thirrje Qeverisë së Malit të Zi që në mënyrë aktive të përfshijë komunitetin lokal në planifikimin e të gjitha projekteve të ardhshme në Plazhin e Madh.

Sipas këtyre konkluzioneve, Kuvendi i Ulqinit shpreh shqetësim të madh për procedurën jotransparente dhe nxitim të tërë procesit, gjë që vën në dyshim kujdesin dhe frikën që autoritetet lokale dhe komuniteti lokal kanë ndaj pasojave të mundshme negative, që mund të ketë realizimi i këtyre planeve për Komunën e Ulqinit.

“Çdo vendim i Qeverisë së Malit të Zi që do të bazohej në  zhvillimin e ardhshëm duke përfshirë të gjithë Plazhin e Madh është absolutisht i papranueshëm për pushtetin lokal, Këshillin e Komunës së Ulqinit dhe komunitetin lokal”, thuhet në konkluzionet e miratuara nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit në seancën e sotme.

Gjithashtu, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka shprehur shqetësim të jashtëzakonshëm lidhur me marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila mund të çojë në pezullimin e disa ligjeve në Mal të Zi, planeve hapësinore dhe procedurave të vendosura për Plazhin e Madh dhe Ulqinin, si dhe është shprehur kundërshtim absolut.  

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, deklaroi se me pranimin e projektit të investimit shumëmilionësh të kompanisë arabe të biznesmenit Mohammed Alabar në Plazhin e Madh, lind pyetja për pjesëmarrjen e tyre mëtejshme në Qeverinë e Malit të Zi.

SHARE