Foto: Reuters
Kosovës dhe Serbisë nuk do t’iu ndahen të holla tani për tani në fazën e para-financimit nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, tha të enjten zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
“Mund ta konfirmojë se në këtë fazë nuk ka para-financim për Serbinë dhe Kosovën”, tha Mercier për media.
Mercier tha se ende nuk është bërë një vlerësim nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar parakushtin për të filluar të përfitojnë nga Plani i Rritjes 6 miliardë eurosh.
Parakusht për Kosovën dhe Serbisë është edhe angazhimi i tyre në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, përfshirë zbatimin e obligimeve nga dialogu që e lehtëson BE-ja.
Por, së voni, Kosova dhe Serbia kanë thelluar mospajtimet, duke ia ndaluar vizitat zyrtarëve të njëra-tjetrës në vendet përkatëse. Kosova gjithashtu e ka akuzuar Serbinë për nuk ka “asnjë interes” për t’i normalizuar marrëdhëniet me të, pasi ajo protestoi ashpër ndaj vendimit të Kenias për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
“Në këtë fazë s’mund të konfirmojë nëse parakushti është plotësuar apo jo. Do të shpjegohet kur të merret një vendim sa i përket para-financimit”, shpjegoi Mercier.
Njoftimi i tij vjen disa ditë pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë vendet e para të rajonit që përfitojnë nga pagesat e para-financimit nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Më 25 mars, Shqipërisë iu ndanë 64.5 milionë euro, prej të cilave 30 milionë si kredi për mbështetje të reformave, dhe 34.5 milionë euro përmes Fondit të Ballkanit për Investime për infrastrukturë.
Një ditë më parë, BE-ja ia lëshoi fondet Maqedonisë së Veriut në vlerë të 52.2 milionë eurove, prej të cilave 24.5 milionë do të shkojnë për buxhetin shtetëror për reforma, dhe 28 milionë për projekte infrastrukturore.
Paketa e përgjithshme e Planit të Rritjes për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – kap shumën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.
Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.