Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shpresojnë që deri në vitin 2030 do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, por deri atëherë duhet të plotësojnë kriteret për anëtarësim.
Kështu deklaruan të hënën në Shkup, ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja vendeve, Bujar Osmani dhe Olta Xhaçka.
Ata i vlerësuan si shumë të mirat raportet mes dy vendeve, në veçanti ato që kanë të bëjnë me integrimin në strukturat euroatlantike. Një prej gjërave që Maqedonia e Veriut duhet të bëjë për ta arritur këtë, sipas Osmanit, është miratimi i ndryshimeve kushtetuese.
“Është një moment i papërsëritshëm në dinamikën e imponuar evropiane të rajonit: lufta në Ukrainë, marrëveshja Kosovë-Serbi, ndërgjegjësimi i Bashkimit Evropian po krijojnë një mundësi, një shans historik që deri në vitin 2030 të gjithë të jemi brenda BE-së. A do ta kapim këtë shans apo do të përsërisim atë që na ndodhi para 15 vjetësh në raport më Greqinë, tani mbetet në duart tona, se a do të izolohemi apo do të jemi pjesë e këtij treni të që do të na dërgojë drejt Brukselit, është vendim i secili prej deputetëve në Parlament, i secilit prej nesh, në emër të qytetarëve dhe shtetit tonë”, tha Osmani.
Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
Ndërsa Xhaçka tha se Tirana dëshiron që dy vendet së bashku të ecin edhe në rrugën e integrimit evropian, ashtu siç e bën ku u anëtarësuan në NATO, por ajo tha se kjo nuk do të mund të bëhet nëse shtetet nuk përmbushin kushtet.
“Bashkërisht kemi ecur krah për krah dhe do të vazhdojmë të ecim të tillë. Por, është e rëndësishme për të gjithë aktorët politikë që ta kuptojnë se ky është një tren që s’duhet humbur, pasi është krijuar një mundësi që ne të ecim më shpejt në këtë proces. Dhe, në qoftë se dikush do të mbetet pas, ai do të mbetet në disavantazh të perspektivës dhe të mirëqenies së vendit dhe qytetarëve të vet, andaj këtë gjë nuk duhet lejuar”, tha ajo.