Foto: Nacionale
Diplomatë të lartë nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, që po shikojnë të përmirësojnë raportet, janë takuar në Stamboll për bisedime për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me misionet diplomatike përkatëse në Uashington dhe Moskë.
Diskutimet më 27 shkurt u përqendruan në përmirësimin e raporteve diplomatike, por ato u mbajtën në kohën kur të dyja shtetet po angazhohen në bisedime dypalëshe, që kanë për synim dhënien fund të luftës në Ukrainë. Këto bisedime kanë rritur frikën se dy shtetet mund të arrijnë një marrëveshje të paqes pa përfshirjen e Kievit apo Brukselit.
“Të jemi të qartë, nuk ka çështje politike apo të sigurisë në agjendë. Ukraina nuk është në agjendë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për gazetarët para nisjes së takimit.
“Konstruktiviteti i këtyre bisedimeve do të bëhet i qartë shumë shpejt, ose çështjet do të zgjidhen ose jo. Ne do të dimë shumë shpejt nëse Rusia është vërtetë e gatshme të angazhohet në mirëbesim”, tha zëdhënësi.
Pesë javë pasi ka marrë detyrën, presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndryshuar politikën e paraardhësit të tij, Joe Biden, që synonte izolimin ndërkombëtar të Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës tre vjet më parë.
Diskutimet në Stamboll janë pjesë e pajtimit të arritur mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Më 18 shkurt, delegacionet e udhëhequra nga ta u pajtuan në Arabinë Saudite që të nisnin diskutimet për misionet diplomatike.
Takimi në Riad erdhi pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin. Trump e përshkroi këtë bisedë si “shumë produktive” dhe njoftoi për nisjen e menjëhershme të bisedimeve për dhënien fund të luftës.