Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi sot në seancën e 70-të ka miratuar Vendimin për themelimin e Trupit Koordinues për monitorimin dhe analizimin e lëvizjeve të çmimeve të produkteve me rëndësi të veçantë për jetën dhe shëndetin e njerëzve, ofertën në treg dhe propozimin e masave për luftimin e pasojave të rritjes së çmimeve për këto produkte.
Fushata “Çmime të limituara” rezultoi menjëherë e suksesshme, jo vetëm duke ulur çmimet e ushqimeve bazë, por edhe duke stabilizuar inflacionin, ku sipas të dhënave të Eurostat-it, Mali i Zi ishte një nga vendet me normën më të ulët të inflacionit në Evropë vitin e kaluar.
“Në bazë të kësaj, formimi i një Trupi Koordinues që do të shqyrtojë situatën gjithëpërfshirëse dhe do të propozojë masat adekuate për stabilizimin e çmimeve të produkteve bazë në treg paraqet orientimin tonë të qartë drejt forcimit dhe mbrojtjes së standardit ekonomik të qytetarëve”, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
“Ky Trup Koordinues, së bashku me planet tona të tjera, si promovimi i produkteve vendore dhe formimi i rezervave mallrash, do të japë një kontribut vendimtar në zhvillimin ekonomik të Malit të Zi, forcimin e prodhimit vendas, stabilizimin e çmimeve dhe sigurimin e ofertës në treg”, theksoi Gjeloshaj.
Detyrat e Trupit Koordinues janë:
- Monitoron dhe analizon lëvizjet e çmimeve të tregut dhe ofertën në treg të produkteve me rëndësi të veçantë për jetën dhe shëndetin e njerëzve;
- Propozon zbatimin e masave për të luftuar pasojat e rritjes së çmimeve të produkteve;
- Monitoron efektet e masave të zbatuara për të luftuar pasojat e rritjes së çmimeve të produkteve.