NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E HUAS ME BERZH PËR NDËRTIMIN E LINJËS HEKURUDHORE VORË-HANI I HOTIT

Kryeministri Edi Rama njofton se Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit.

Rama shkruan se ndërtimi i linjës është një projekt i rëndësishëm për ne dhe për rajonin, i cili do të rrisë komunikimin mes vendeve, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

“Nënshkruhet marrëveshja e huasë me BERZH për ndërtimin e linjës hekurudhore #Vorë – #Hani i Hotit. Një projekt i rëndësishëm për ne dhe rajonin, i cili do të rrisë komunikimin mes vendeve, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve”, shkruan Rama në postimin e tij.

Marrëveshja është nënshkruar mes zëvendëskryeministres njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe presidentes së BERZH, Odile Renaud-Basso në Londër.

Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit pritet të nisë këtë vit teksa qeveria ka akorduar një buxhet fillestar për zbatimin e projektit. Sipas projektbuxhetit 2024 kosto totale e projektit përllogaritet në 39.25 miliardë lekë, teksa financimi për vitin që vjen arrin në 340 miliardë lekë, nga të cilat 170 miliardë lekë janë grant.

Shqipëria kërkoi vitin e shkuar një kredi 62.9 milionë euro pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) lidhur me projektin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit ka një gjatësi prej rreth 120 km dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri. Ajo lidh qytetet e Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, ndërsa kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit.

Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

SHARE