Një delegacion i lartë i Bankës Qendore të Kosovës (BQK) mori pjesë në takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, të kryesuar nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të BQK-së, gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.
Sipas BQK-së, autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb, “ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”.
“BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.
Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi.
Pas takimit, emisari special evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, theksoi se takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm, por thotë se do të nevojiten takime shtesë.
“Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi Lajçak.