MIRATOHEN FONDET PËR NDËRTIMIN E DY SHKOLLA FILLORE NË PODGORICË DHE TUZ, DHE KATËR ÇERDHE

Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor, e mbajtur në Split, Malit të Zi i janë miratuar 13,07 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe kontributet e donatorëve bilateralë të Bordit Drejtues, për realizimin e projekteve infrastrukturore në fushën e arsimit.

Këto fonde lidhen me dy projekte të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, ndërtimin e katër çerdheve të reja dhe dy shkollave fillore në të gjithë Malin e Zi.

Me grantin e miratuar prej 5,82 milionë eurosh do të mbështetet ndërtimi i katër çerdheve në Tivar, Berane, Ulqin dhe Podgoricë, brenda projektit që realizohet në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës. Vlera totale e këtij investimi është 27,6 milionë euro.

“Granti prej 7,25 milionë eurosh, me mbështetjen e Bankës Evropiane për Investime, është i destinuar për ndërtimin e dy shkollave fillore, në Podgoricë (lagjja City) dhe Tuz (Dheu i Zi), vlera totale e të cilave është 29,5 milionë euro,” thuhet në komunikatë.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se këto projekte konfirmojnë se integrimet evropiane sjellin përfitime konkrete dhe të dukshme për qytetarët.

“Përfitimet e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian janë të dukshme dhe të aksesueshme për qytetarët tanë. Më gëzon veçanërisht fakti që këto fonde janë drejtuar drejt arsimit, një fushë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe zhvillimin afatgjatë të shoqërisë. Përmes Planit të Rritjes, Mali i Zi përdor fondet evropiane në një mënyrë që sjell vlera të qëndrueshme, sidomos për gjeneratat më të reja,” tha Gorçeviq.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, theksoi se bëhet fjalë për projekte të përparuara, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë ndodhet në fazën e ndërtimit ose në fazat përfundimtare të zgjedhjes së kontraktorëve.

“Me këtë mënyrë, ne përgjigjemi drejtpërdrejt ndaj nevojave të komuniteteve lokale dhe krijojmë kushte më të mira për qëndrimin dhe arsimimin e fëmijëve, në përputhje me standardet bashkëkohore evropiane. Tashmë mund të thuhet me siguri se këto çerdhe dhe shkolla do të përfundojnë para anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, dhe do të përfaqësojnë shenja të qëndrueshme dhe të dukshme, tregues të vërtetë të bashkëpunimit të suksesshëm midis Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian gjatë periudhës së integrimit evropian të vendit tonë,” deklaroi Jakshiq Stojanoviq.

Ajo falënderoi vendet anëtare të BE-së, që janë donatorë bilateralë të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor, për njohjen e rëndësisë së projekteve të kandiduara nga MASHI, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e infrastrukturës arsimore në Malin e Zi, e cila bën të mundur që këto projekte të rëndësishme të shndërrohen në përfitime konkrete dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe komunitetet tona.

Siç thekson Qeveria e Malit të Zi, partneriteti me Bashkimin Evropian do të vazhdojë fuqishëm, me një qëllim të qartë – zhvillimin e një sistemi arsimor të aksesueshëm, gjithëpërfshirës dhe konkurrues, i cili do të jetë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe në shërbim të çdo fëmije në Malin e Zi.

SHARE