Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi më 10 shkurt, me një pikë të vetme të rendit të ditës: votimi i dytë për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit, rikujtohet se që në dhjetor 2025, Millatoviq kishte propozuar kandidatin Predrag Krstonijeviq për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Theksojmë se ndërkohë, gjyqtares Lopiçiq i ka skaduar mandati kushtetues dymbëdhjetëvjeçar, për të cilin ishte zgjedhur, dhe Kuvendi i Malit të Zi më 28 dhjetor 2025 konstatoi përfundimin e funksionit të saj. Të njëjtën ditë, duke aplikuar dispozitën e nenit 15 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi vendosi se Lopiçiq vazhdon të ushtrojë funksionin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese deri në zgjedhjen e gjyqtarit të ri, por jo më gjatë se një vit,” thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, kushtetutshmëria e kësaj dispozite është të paktën e diskutueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se gjyqtarja Lopiçiq më 23 janar 2026 mbushi 65 vjeç dhe ka mbi 40 vjet përvojë pune, duke plotësuar kushtet për të marrë pension pleqërie.
Gjithashtu, theksohet se plotësimi i përbërjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi thelbësore për funksionimin e pandërprerë të një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, e cila ka si rol kryesor mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor të Malit të Zi.
“Presidenti i Malit të Zi shpreh besimin se Kuvendi i Malit të Zi do të njohë rëndësinë e këtij çështjeje dhe do të veprojë në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese,” thuhet në njoftim.









