SORENSEN KONFIRMOHET PËRFUNDIMISHT EMISAR PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI

Foto: Reuters

Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, më 24 janar ambasadorët e BE-së kishin konfirmuar Sorensenin në këtë post.

Politikani nga Danimarka u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.

Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin më 1 shkurt.

Emisarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

Para nisjes së takimit në Bruksel të kryediplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka, po dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

Në deklaratën e Këshillit të BE-së, në të cilën bëhet i ditur emërimi i Sorensenit në këtë pozitë, thuhet se ai do të jetë Përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Mirosllav Lajçak ka qenë i angazhuar edhe çështje tjera rajonale, përveç dialogut.

“Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimnit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh“, thuhet në këtë komunikatë.

SHARE