Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Progresi në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura do të kontribuojë në marrëdhëniet dypalëshe midis Malit të Zi dhe Kroacisë dhe në integrimin e mëtejshëm të Malit të Zi në BE, i cili është në interesin e përbashkët, është bërë e ditur në takimin e Sekretarit të Shtetit në MPJ të Malit të Zi, Perisha Kastratoviq, me kolegun e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Frano Matushiq.
Konsultimet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Kroacisë, të udhëhequra nga Kastratoviq dhe Matushiq, janë mbajtur sot në Zagreb.
Në takim, siç thuhet në njoftim, është diskutuar për statusin e çështjeve të hapura, si dhe është shqyrtuar dinamika e mëtutjeshme e punës dhe mënyra e zgjidhjes së tyre, në mënyrë që sa më shpejt të arrihen rezultate konkrete.
“Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për një dialog të hapur dhe aktiv. Progresi në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura do të kontribuojë në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe dhe integrimin e mëtejshëm të Malit të Zi në BE, gjë që është në interesin e përbashkët. Të dyja palët ranë dakord për kontakte të vazhdueshme për këto çështje dhe përcaktuan dinamikën kornizë të takimeve të radhës”, thuhet në deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.