ABAZOVIQ: DO TË ISHTE MIRË SIKUR TË KISHIM NJË KANDIDATË TË PËRBASHKËT PËR PRESIDENT

Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, tha se shpreson që Mali i Zi në zgjedhjet presidenciale të ketë president të ri dhe se do të ishte mirë që të ishte një kandidat i përbashkët qytetar. Duke folur për rinovimin e negociatave për formimin e një Qeverie me shumicë parlamentare nga 30 gushti 2020, ai tha se është i gatshëm të dëgjojë propozimin nëse dikush ka një të tillë. “Nëse ka një propozim konkret se si duhet të duket, jam më se i gatshëm ti dëgjoj. Vetëm të mos flasim në re”, ka thënë Abazoviq. Kryeministri tha se nuk është i preokupuar me zgjedhjet presidenciale. Ai e bëri të ditur qëndrimin e tij para gazetarëve dhe shtoi se më vonë do të deklarohen edhe autoritetet partiake. “Gjëja më e rëndësishme është që Mali i Zi të fitoj një president të ri dhe të jetë një kandidat i përbashkët qytetar. Kjo do të ishte e mrekullueshme. Po ashtu do të ishte domethënëse nëse do të ishte zonjë”, tha Abazoviq. Ai theksoi se është i sigurt se do të kemi një president të ri për të cilin shpreson se do të jetë më bashkëpunues në arritjen e interesave kombëtare. Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese duhet të zgjidhet para se të shkohet në zgjedhje.

SHARE