UKRAINA SHKATËRRON ANIJEN RUSE / SULM RAKETOR NË KRIME, VIKTIMA DHE TË PLAGOSUR

Forcat Ajrore ukrainase kanë goditur një port të madh detar në Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia, duke pretenduar se kanë shkatërruar një aeroplanmbajtës të madh të Rusisë.

Përmes një postimi në Telegram më 26 dhjetor, ushtria ukrainase tha se njësitë taktike të aviacionit kanë sulmuar me raketa lundruese portin e Feodosias, në lindje të Gadishullit në Detin e Zi, rreth orës 03:00, sipas kohës lokale, duke goditur anijen Novocherkassk.

Shpërthimet janë dëgjuar në gjithë qytetin, duke zgjuar nga gjumi banorët, dhe duke thyer dritaret e dyqaneve larg nga porti.

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, gjenerallejtënant Mykola Oleshchuk, tha se “Flota detare e Rusisë po bëhet më e vogël” dhe sugjeroi se avionët ukrainas u përfshin në sulm, por nuk dha më shumë detaje.

“Nuk do të ketë Flotë të Detit të Zi të Rusisë në Krime”, tha Andriy Yermak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka konfirmuar se anija Novocherkassk është dëmtuar nga një raketë ukrainase, por nuk dha më shumë detaje. Kremlini tha se ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka informuar presidentin Vladimir Putin, për sulmin, një indikacion i mundshëm për seriozitetin e sulmit.

“Një sulm i armikut u krye në zonën e Feodosias. Zona e portit është mbyllur për qarkullim. Në këtë moment, shpërthimet janë ndalur dhe zjarri është vënë nën kontroll”, shkroi në Telegram, Sergey Aksyonov, guvernator i rajonit të Krimesë, që ka mbështetjen e Rusisë.

Ai tha se një person është vrarë, dy të tjerë u plagosën në sulm, por nuk dha detaje të tjera.

Fotografi dhe video të paverifikuraa kanë shfaqur zjarr në zonën e portit. Në fotografitë e realizuar nga një korrespondent i Radios Evropa e Lirë, janë shfaqur dritare të thyera të disa ndërtesave të qytetit.

Nëse konfirmohet, shkatërrimi i Novocherkassk do të ishte goditja e madhe e radhës ndaj Flotës ruse të Detit të Zi, flotë që është detyruar të kufizojë disa nga operacionet në dhe përreth Krimesë pas një serie të sulmeve me raketa dhe dronë.

Po ashtu, do të ishte hera e dytë që një anije ruse do të dëmtohej nga sulmet ukrainase.

Në mars të vitit 2022, rreth një muaj pas nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, forcat ukrainase goditën portin e Berdjanskut, në Detin Azov, duke fundosur aeroplaninmbajtës, Saratov, dhe dëmtuan Novocherkasskun.

Ukraina, që po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit të kaluar, shpesh sulmon caqe në Krime, veçmas ato të ushtrisë ruse.

Në prill të vitit 2022, Kievi sulmoi luftanijen Moskva të Flotës së Detit të Zi.

SHARE