GJEKA DHE RADOVIQ: GRATË NË MAL TË ZI JANË MË TË PABARABARTA PËR SA I PËRKET PUSHTETIT DHE PARAVE

E matur me Indeksin e Barazisë Gjinore në Mal të Zi, gratë janë më të pabarabarta në fushën e pushtetit dhe parasë, u theksua në takimin e ministrit për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, Fatmir Gjeka, me drejtoreshen ekzekutive të Fondit për Investime dhe Zhvillim, Irena Radoviq dhe Kryetarin e Bordit të Drejtorëve, Velizar Kallugjeroviq. Ajo theksoi rëndësinë e tejkalimit të çekuilibrit gjinor kur bëhet fjalë për gratë pronare të biznesit dhe pjesëmarrjen e tyre në pozitat vendimmarrëse ekonomike dhe tejkalimin e hendekut në të ardhura. Ajo gjithashtu vuri në dukje pabarazinë e zhvillimit rajonal dhe përdorimin e reduktuar të potencialit të sipërmarrjes ekonomike të grave në veri të Malit të Zi, ku papunësia është 11 herë më e lartë se në rajonin jugor. “Pabarazia gjinore në Mal të Zi është një temë e zakonshme dhe vendosja e barazisë së plotë gjinore është një synim prioritar në nivel ndërkombëtar, por edhe në shoqërinë malazeze”, tha Gjeka. Ministri theksoi se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave do t’i mbështesë rregulloret e propozuara, dhe se ato vetë do t’u dërgojnë komente propozuesve të këtyre ligjeve para miratimit të tyre në Qeveri. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e përmirësimit të të drejtave të njeriut, në drejtim të përmirësimit të zgjidhjeve normative në Ligjin aktual për Barazinë Gjinore, të cilat i referohen një pjesëmarrjeje më të ekuilibruar të grave dhe burrave në bordet e drejtorëve dhe në poste drejtuese në kompanitë e mëdha, publike dhe private, si dhe kapërcimin e dallimeve në të ardhura mes gjinive.

SHARE