SATTLER: VOTIMI PËR GJYQTARËT ISHTE NJË MUNDËSI E HUMBUR NË NJË MOMENT KYÇ

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Votimi i djeshëm në Parlament, kur u zgjodh vetëm një nga tre gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ishte një mundësi e humbur në një moment vendimtar për Malin e Zi, ka vlerësuar shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, Johan Sattler.

I pyetur nga gazetarët për të komentuar faktin se nga tre kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese shumicën e nevojshme e mori vetëm Jovan Jovanoviq, ai tha se i vjen keq për atë që ndodhi në Kuvend, konkretisht për atë që nuk ndodhi.

Ai tha se të gjithë aktorët e përfshirë ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e plotësimit të vendeve në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo ishte një mundësi e humbur në një moment kyç për Malin e Zi, pasi disa javë më parë publikuam raportin vjetor për përparimin e Malit të Zi, i cili ishte shumë inkurajues dhe që përmbante thirrjen për të plotësuar vendet në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Sattler.

Ai theksoi se BE pret bashkëpunim nga të gjithë aktorët politikë.

“Ajo që prisnim ishte që të gjithë aktorët politikë të bashkëpunonin, pavarësisht dallimeve politike, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët – gjë që nuk ndodhi”, theksoi Sattler.

Duke folur për hapat e ardhshëm, ai theksoi se pret që të gjithë aktorët të ulen së bashku, të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje që mund të zbatohet shpejt.  

SHARE