BERLINI PROPOZON MODEL TË RI: ANËTARËSIM NË BE PA TË DREJTË VETOJE

Foto: Ilustrim

Anton Hofreiter, kryetar i Komitetit për Çështje Evropiane në Bundestagun gjerman, deklaroi në një forum në Berlin se po shqyrtohet seriozisht opsioni që vendet kandidate – përfshirë Malin e Zi – të anëtarësohen në Bashkimin Evropian me një kufizim të përkohshëm të së drejtës së vetos.

Ai vlerësoi progresin e shpejtë të reformave në Mal të Zi, Shqipëri, Moldavi dhe Ukrainë, duke theksuar se Mali i Zi mund të jetë gati për anëtarësim shumë shpejt.

Sipas tij, vendi është i vogël dhe nuk paraqet barrë për BE-në, përveç çështjes së vetos.

Hofreiter propozoi që vendet kandidate të bëhen anëtare të plota, por të nënshkruajnë një marrëveshje për të mos përdorur veton derisa BE të reformojë këtë mekanizëm.

Ai pranoi se kjo mund të krijojë perceptimin e “dy klasave të anëtarëve”, por beson se vendet kandidate do ta pranonin nëse ky është çmimi për anëtarësim.

Ai shtoi se kjo zgjidhje do të dërgonte sinjal pozitiv për vende të tjera të rajonit, si Serbia, Moldavia dhe Ukraina, dhe se është në interes të BE-së të shmangë “zonat gri” në Evropë duke e zgjeruar unionin.

Në fund, ai përmendi edhe idenë që vetoja të vlejë vetëm nëse katër vende anëtare e përdorin njëkohësisht, pasi kalimi në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar për të gjitha çështjet është i pamundur.

SHARE