Foto: Reuters
Bashkimi Europian e radhit ndër prioritetet e tij kryesore bashkëpunimin me autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për luftën kundër emigracionit të paligjshëm.
Një gjë e tillë theksohet vazhdimisht në takimet dypalëshe që zyrtarët e BE-së mbajnë me partnerë nga rajoni. Kjo thirrje përfshihet edhe në raportet, konkluzionet deklaratat apo dokumentet e tjera që BE-ja i miraton në lidhje me rajonin.
Për rrjedhojë, edhe në paketën e fundit të zgjerimit, si dhe në raportet individuale të progresit, kujdes i veçantë u kushtohet pikërisht detyrimeve që këto vende kanë ndaj BE-së për menaxhimin e emigacionit ilegal. BE-ja, sipas zyrtarëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, është relativisht e kënaqur me faktin se numri i imigrantëve që hyjnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor është në rënie, krahasuar me vitet e mëparshme.
Në BE shprehen të kënaqur edhe me gatishmërinë e autoriteteve të vendeve të rajonit për të vepruar së bashku me agjencitë dhe autoritetet e BE-së. Shumica e vendeve të rajonit, përfshirë Shqipërinë, kanë tashmë edhe marrëveshje për bashkëpunim me Frontex-in – agjencinë e BE-së për mbrojtjen e kufijve. Fusha ku BE-ja e sidomos vendet e saj anëtare që kufizohen me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të donin më shumë përparim, është përshtatja e regjimit të vizave të këtyre vendeve për shtetasit e vendeve të treta, me regjimin e vizave të BE-së.
Kjo do të thotë që vendet e rajonit, për qytetarët e të cilave nuk ka nevojë për viza për të udhëtuar në BE, të vendosin viza për hyrjen në territorin e tyre për ata shtetas të huaj, për të cilët Bashkimi Europian kërkon viza, e sidomos për shtetasit e atyre vendeve që paraqesin rrezik potencial për rritjen e numrit të klandestinëve.
Problemi kryesor deri vonë ka qenë Serbia, e cila hoqi vizat e vizitorëve për një seri shtetesh nga Afrika e Azia dhe vetëm pas qortimeve të Brukselit, nisi ta përshtatë regjimin e vizave me atë të BE-së i riktheu vizat për disa shtete, megjithatë jo për të gjitha.