Foto: Ekipet e shpëtimit mbërrijnë në vendin e ngjarjes së një sulmi izraelit ndaj një ndërtese banimi në qendër të Bejrurit, Liban, 26 nëntor 2024. / AFP
Avionët luftarakë të Izraelit e goditën një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit të martën, si dhe lëshuan urdhra të rinj për evakuim për 20 ndërtesa në periferitë jugore të kryeqytetit të Libanit.
Sulmi e bëri ndërtesën rrafsh me tokën në lagjen Basta në qendër të Bejrutit. Ky ishte sulmi i dytë në ditët e fundit në pjesën më të banuar të qytetit.
Nuk është raportuar për viktima deri më tani.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, la të kuptohej se do të ketë më shumë sulme, duke thënë se janë lëshuar urdhra për rreth 20 ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe një paralajmërim për qytezën jugore Naqoura, në të cilën ndodhet selia qendrore e misionit paqeruajtës të OKB-së, UNIFIL.
Sulmi në Bejrut ndodhi pak orë para se kabineti i sigurisë i Izraelit të mblidhej për të votuar një marrëveshje për armëpushim, e cila u ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe ka për qëllim t’i japë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe grupit militant libanez, Hezbollah.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ndër çështjet kryesore që kanë penguar marrëveshjen ka qenë kërkesa e Izraelit për ta pasur të drejtën për të vepruar, nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij.
Sipas propozimit, mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendoseshin në jug, dhe një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria do ta sulmojë Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.
“Nëse ju nuk veproni, ne do të veprojmë, dhe me forcë të madhe”, tha ai, duke folur me të dërguarën speciale të OKB-së, Jeanine Hennis-Plasschaert.