GJELOSHAJ: MINISTRIA DO T’I PROPOZOJË QEVERISË KRIJIMIN E FONDIT PËR GARANCI TË KREDIVE

Ministria e Zhvillimit Ekonomik shumë shpejt do t’i propozojë Qeverisë së Malit të Zi një zgjidhje ligjore në drejtim të krijimit të Fondit për Garanci të Kredive, bëri të ditur zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike njëkohësisht ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.

Siç shpjegoi ai, FGK, si një institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, do të sigurojë akses më të lehtë dhe më të madh në burimet financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, sipërmarrësit dhe personat fizikë që kryejnë veprimtari tregtare.  

“FGK, për zhvillimin ekonomik, do të jetë një pikë kthese, e cila në periudhën e ardhshme do të garantojë një numër të madh kredish deri në 200 milionë euro, të cilat do të kontribuojnë në hapjen e një numri të madh vendesh pune. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të jetë partneri ynë dhe së bashku me konsulentët e tyre, të cilët na kanë ofruar në këtë projekt, do të arrijmë në një zgjidhje përfundimtare ligjore”, thuhet në njoftim. 

Gjeloshaj thekson se kapitali fillestar i Fondit që do të sigurohet nga Qeveria në buxhetin e vitit 2024 është 10 milionë euro. 

“Përveç sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që është segmenti dominues i ekonomisë malazeze, fondet do të dedikohen edhe për grupe të veçanta si: kompanitë në pronësi të shumicës së grave, fermerët, kompanitë turistike, kompanitë e IT, kompanitë për efiçencën e energjisë dhe burimet e rinovueshme të energjisë… Bosht i zhvillimit ekonomik është fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, thuhet në njoftim.

SHARE