NIMANBEGU: TË RRËZOHET QEVERIA DHE TË KTHEHET MALI I ZI NË RRUGËN E DUHUR

Forca e Re Demokratike do të votojë për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe do të mbështesë çdo zgjidhje që do ta kthejë Malin e Zi në rrugën e duhur, tha kryetari i Forcës Genci Nimanbegu. Kjo, siç thekson ai, nuk do të thotë se do të jenë pjesë e qeverisë së re sepse nuk duan të jenë thjesht “dekor”.  “Siç kemi negociuar me qeverinë pro-serbe, do të negociojmë edhe me qeverinë pro-malazeze.  Sado që zgjedhjet e parakohshme parlamentare tingëllojnë të drejta, ato nuk premtojnë rrugëdalje nga situata aktuale dhe nuk nënkuptojnë rezultate të sigurta,” tha Nimambegu. Ai vlerëson se të gjithë kanë frikë nga këto zgjedhje dhe se synimi i tyre është që të mbahen vetëm në vitin 2024. Siç shton ai, zgjidhja në një shoqëri thellësisht të polarizuar dhe të ndarë, duhet gjetur në një dialog të gjerë dhe thelbësor të të gjitha subjekteve politike. Ai përsëriti se thirrja e mazhorancës qeverisëse që pakicat t’i bashkohen qeverisë aktuale nuk ishte e sinqertë. “Këtë e kuptuam në momentin që kur ne erdhëm me një dokument, nuk morëm kurrë përgjigje.  Kur tashmë  Qeveria ishte formuar, ministri Leposaviq deklaroi se kërkesat tona janë jokushtetuese,” tha Nimanbegu. Ai vlerëson se do të pasojë një periudhë e trazuar politike dhe ekonomike.

SHARE