MORI JETËN E 51 PERSONAVE, SHËNOHET 1 VIT NGA TËRMETI I 26 NËNTORIT

Ishte ora 03.56 minuta e mëngjesit të 26 nëntorit, ku tronditja prej 50 sekonda shënoi një prej ngjarjeve më të rënda në fushën e fatkeqësive natyrore në Shqipëri. U bënë një vit nga tërmeti i tmerrshëm, lëkundjet e të cilit morën jetën e 51 personave si dhe plagosi plot 913 të tjerë, si dhe u prekën plot 202 mijë persona në disa bashki. Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie ishte tabloja e asaj tragjedie. Orët e para ishin kaotike, pasi shumë njerëz nën rrënoja luftonin mes jetës dhe vdekjes, ndërkohë të tjerëve iu duhej të përballeshin edhe me panikun që shkaktonin post-lëkundjet. Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave. Pas një viti, plagët ende nuk janë shuar. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës. Gjurmët e nate të 26 nëntorit të vitit të kaluar janë në kujtesën e kujtdo, që sot pas një viti kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.

SHARE