NJË TËRMET I FUQISHËM GODET SHQIPËRINË

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit, ka goditur këtë mëngjes Shqiperinë. Burime të Top Channel kanë raportuar se të paktën 18 njerëz janë vrarë, dhe se rreth 600 të tjerë u lënduan dhe disa janë në gjendje kritike. Epiqendra e tërmetit ishte 9km në veri të Durrësit. Me këtë rast, Kryeministri shqiptar Edi Rama konfirmoi në llogarinë e tij në Twitter, se tërmeti kishte pasoja të thella, por gjithashtu mori jetën shumë personave.  “Ne po punojmë intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme. Është një moment dramatik kur duhet të qëndrojmë të qetë dhe të qëndrojmë krah për krah”, ka shkruar Rama, i bindur se do ta kapërcejnë këtë situatë të vështirë me ndihmën e miqve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha disa palestra do të rrinë hapur për strehim provizor. Dridhjet e forta të këtij tërmeti u ndjen edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë. Mesazheve solidarizuese ju bashkëngjit edhe Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, ku ai përmes një postimi në Facebook tha: “Ndihemi të shqetësuar për situatën e krijuar në Shqipëri, si shkak i tërmeteve të njëpasnjëshme. Qytetarët e Komunës së Tuzit dhe të gjithë shqiptarët në Mal të Zi solidarizohemi dhe lutemi për viktimat, familjet e tyre dhe për të lënduarit nga kjo tragjedi e rëndë.” Për TV tonë dhanë mesazh solidariteti për të gjithë familjet e të prekurve nga tërmeti në Shqipëri, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, Ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Mal të Zi, Mehmet Zenka si dhe nënkryetari i Komunës së Tuzit Ivan Ivanaj.

SHARE