RAMA: BALLKANI PERËNDIMOR DUHET TË JETË PJESË E PANDARË E PROGRAMEVE EVROPIANE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Bruksel, ndërkohë ka marrë pjesë në forumin “Global Gateway” mbi sfidat aktuale të Evropës dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në lidhje me forumin, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se është ftuar nga Komisioni Evropian për të adresuar në sesionin e hapjes së forumit “Global Gateway” mbi sfidat aktuale të Evropës dhe prioritetet madhore të zhvillimit. “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë pjesë e pandarë e programeve evropiane të financimit të këtyre prioriteteve”, ka shkruar Rama.

Ndërkohë, në fjalën e tij në forum Rama ka theksuar se hapja që po shohin falë marrëdhënies, sipas tij, gjithmonë e më të ngushtë me Bashkimin Evropian, është thelbësore jo vetëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por dhe për vetë Bashkimin Evropian.

“Është një rrugë që duhet ta përshkosh e ku merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit, ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera, por më duhet të them që në asnjë drejtim tjetër nuk do të gjesh një mik e një aleat që është i fortë e që kurrë, asnjëherë nuk do të të sulmojë. E që kurrë, asnjëherë nuk do të sulmojë askënd e që gjithmonë do të përpiqet të ndihmojë gjithkënd, ky është Bashkimi Evropian”, tha Rama duke folur rreth BE-së.

Duke iu referuar edhe Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë më 16 tetor në Tiranë, Rama tha se u gëzuan shumë që dëgjuam Presidenten e Komisionit (Ursula von der Leyen), e cila sipas tij paraqiti një plan mjaft ambicioz për rajonin i cili quhet “Plani i ri i Rritjes”.

“Kjo është vërtetë muzikë për veshët tanë sepse po, reformat janë të nevojshme. Po, demokratizimi i mëtejshëm është i nevojshëm. Po, rreshtimi me vlerat e parimet e Bashkimit Evropian është thelbësor, por siç dikur Angela Merkel thoshte: ‘Autostradat nuk funksionojnë siç duhet pa demokraci, por demokracia pa autostrada nuk mund të funksionojë si duhet’. Kësisoj, infrastruktura është e nevojshme”, tha Rama.

Strategjia “Global Gateway” e BE-së lidh vendet dhe rajonet anembanë botës, duke inkurajuar investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit, energjinë e gjelbër, telekomunikacionet moderne, arsimin dhe kërkimin.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Rama është takuar edhe me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, dhe zyrtarë të tjerë.

SHARE