SONDAZH I IRI: QYTETARËT E KOSOVËS E SHOHIN SHBA-NË SI ALEATIN KRYESOR

Një sondazh i realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon se qytetarët e Kosovës konsiderojnë pa ngurrim Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin kryesor të vendit.

Sipas rezultateve, 77% e të anketuarve janë shprehur në favor të SHBA-së.

Nga të anketuarit, 94% janë shqiptarë, ndërsa 6% serbë.

Sondazhi përfshin edhe pyetjen se cilin shtet qytetarët e konsiderojnë si kërcënimin më të madh për vendin.

Pas SHBA-së, si aleatë kyç përmenden Shqipëria dhe Gjermania me nga 6%, Turqia me 3%, ndërsa Bashkimi Evropian ka marrë vetëm 1% të mbështetjes në këtë renditje.

Nga ana tjetër, kërcënimi më i madh për Kosovën, sipas qytetarëve, perceptohet të vijë nga Serbia me 76%, e ndjekur nga Rusia me 16%.

Rezultatet e sondazhit janë publikuar dy javë pasi Uashingtoni pezulloi për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën.

Ky vendim u arsyetua me shqetësimet për veprimet e Qeverisë në detyrë dhe të Kryeministrit Albin Kurti, për të cilat SHBA-ja ka deklaruar se “rrisin tensionet dhe destabilitetin”.

Kosova dhe SHBA-ja kishin planifikuar që këtë vit të finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik, pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.

SHARE