PRESIDENTI I MALIT TË ZI, JAKOV MILLATOVIQ, TAKON SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË OKB-SË NË NJU JORK

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u takua në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë takimit, Millatoviq e ftoi zyrtarisht Guterresin që të vizitojë Malin e Zi vitin e ardhshëm me rastin e 20-vjetorit të anëtarësimit të vendit në OKB.

“Kjo ishte një mundësi që t’i përcjell drejtpërdrejt, në emër të Malit të Zi, mbështetjen për iniciativën e tij që ka të bëjë me reformimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara. E dimë që OKB-ja përballet me sfida të mëdha dhe reforma është e domosdoshme, në mënyrë që kjo organizatë unike, ku çdo vend ka zërin e vet, të jetë më e përgatitur për sfidat e ardhshme”, deklaroi Millatoviq.

Ai theksoi përkushtimin e Malit të Zi ndaj multilateralizmit, ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve përmes dialogut, duke falënderuar Guterresin për mbështetjen që OKB-ja ka dhënë për zhvillimin e Malit të Zi përmes projekteve të ndryshme.

“E ftova që të vijë në Mal të Zi dhe të festojmë së bashku 20 vjetorin e anëtarësimit tonë në OKB. Na pret një jubile i rëndësishëm,” u shpreh presidenti.

Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Millatoviq tha se ishte një rast i rëndësishëm për Malin e Zi për të artikuluar qartë qëndrimet e saj për sfidat globale.

“Mali i Zi dërgoi një mesazh paqeje dhe partneriteti të besueshëm brenda kësaj familjeje të madhe të Kombeve të Bashkuara. Në Ballkanin Perëndimor jemi njohur si një vend që zgjedh dialogun në vend të konfliktit – dhe këtë politikë e promovojmë edhe në nivel global,” tha ai.

Duke folur për integrimin evropian, presidenti përsëriti se objektivi i Malit të Zi është anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.

“Dyert janë të hapura. Tani është detyra jonë të realizojmë reformat dhe të hyjmë në BE. Tashmë, topi është plotësisht në fushën tonë. Ftoj të gjithë aktorët politikë që të bashkohemi rreth rrugës evropiane – kjo është ideja kyçe që duhet të na bashkojë,” përfundoi Millatoviq.

SHARE