QEVERIA E MALIT TË ZI MIRATOI AGJENDËN E REFORMËS

Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme miratoi agjendën e reformave, një nga gjërat më të rëndësishme në konvergjencën ekonomike jo vetëm të Malit të Zi por edhe të Ballkanit Perëndimor, deklaroi ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq.

“Është miratuar agjenda e reformave, e cila përfshin një sërë reformash që do t’i zbatojmë dhe në fund të ditës do të marrim një shumë të caktuar parash për ato reforma”, theksoi Gorçeviq.

Ajo thotë se më herët është miratuar Plani i Rritjes, pas së cilës, siç thotë ministrja, Qeveria ka pasur për detyrë të formojë një ekip, i cili ka treguar përkushtim për miratimin e një dokumenti të tillë.

“Mali i Zi ka fituar 383.5 milionë euro”, theksoi Gorçeviq, duke shtuar se 110 milionë grante të pakthyeshme, ndërsa pjesa tjetër sigurohet me kredi të favorshme.

“Në vijim është zbatimi dhe monitorimi dhe këstet që do të marrim çdo gjashtë muaj në lidhje me atë që është arritur. Tani do të jetë e nevojshme të formohet një trup koordinues që do të monitorojë zbatimin e reformave dhe do të informojë Komisionin Evropian për rezultatet”, tha Gorçeviq.

Ajo shtoi se agjenda duhet të miratohet nga Komisioni Evropian në fund të shtatorit dhe Mali i Zi duhet të marrë këstin e parë prej rreth 29 milionë euro në fund të vitit.

SHARE