MPJ: NGA TETORI NIS ZBATIMI I SISTEMIT TË RI TË BE PËR REGJISTRIMIN E HYRJE-DALJEVE TË SHTETASVE TË HUAJ

Foto: Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se nga data 12 tetor fillon zbatimi i sistemit të ri të BE-së Entry/Exit System (EES) për regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së, përfshirë Malin e Zi.

Qytetarët e Malit të Zi do të mund të udhëtojnë pa vizë në zonën Shengen si më parë, por do t’u merren të dhëna biometrike (fotografi dhe gjurmë gishtash) në kufi.

Sistemi do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave, duke mundësuar kontroll më të shpejtë dhe më të sigurt.

Të dhënat do të ruhen 3 deri në 5 vjet, në varësi nga respektimi i qëndrimit të lejuar.

Zbatimi i sistemit do të jetë me faza: fillimisht pa të dhëna biometrike, ndërsa pas 6 muajsh të gjitha shtetet Shengen do të jenë të detyruara të përdorin EES me biometri.

Ky sistem nuk vlen për personat me leje qëndrimi afatgjatë, vizë afatgjatë, apo ata që janë anëtarë të familjes së qytetarëve të BE-së me leje qëndrimi.

Sistemi në fjalë është parakusht për zbatimin e ETIAS-it, që pritet të nisë në fund të vitit 2026.

SHARE