KUVENDI I KOSOVËS MBETET ENDE I PAKONSTITUUAR PËR SHKAK TË MOSVOTIMIT TË NËNKRYETARIT SERB

Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës zgjodhën katër nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e tre partive më të mëdha shqiptare dhe nga partitë e komuniteteve joshumicë joserbe, por, nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk u votua.

Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje propozoi për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës deputeten Albulena Haxhiu, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), propozoi për nënkryetare të Kuvendit deputeten Vlora Çitaku ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), propozoi për nënkryetar deputetin Kujtim Shala.

Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë për këta emra për nënkryetarë të rinj të Kuvendit votuan 101 deputetë për, kundër nuk pati dhe nëntë deputetë abstenuan.

“Konstatoj se Kuvendi zgjodhi tre nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Deputeten Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeten Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe deputetin Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, theksoi Basha.

Pas emërimit të nënkryetarëve të rinj nga tre partitë më të mëdha në Kuvend, radhës për votimi i erdhi votimit të dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë, një nga komuniteti serb dhe një nënkryetar nga komunitetet joshumicë joserbe.

– Nuk zgjidhet nënkryetari nga radhët e komunitetit serb

Nga deputetët e komuniteteve joshumicë joserbe, u propozuan tre emra deputetësh të cilët do të jenë secili në pozitën e nënkryetarit me kohë të caktuar, me rotacion, duke nisur me Emilja Rexhepin nga radhët e komunitetit boshnjak, pasuar nga deputetja nga radhët e komunitetit turk Fidan Jilta dhe nga deputeti nga radhët e komunitetit ashkali Artan Asllani. Ndërsa, nga komuniteti serb, partia Lista Serbe, propozoi për nënkryetar deputetin Slavko Simiq.

Pas propozimeve, votimi për komunitetet joshumicë u bë ndaras.

Deputetët miratuan nënkryetarët e rinj nga komunitetet joshumicë joserbe me 73 deputetë për, një kundër dhe 23 abstenime.

Por, për propozimin për nënkryetar nga Lista Serbe, Slavko Simiq, nuk u bënë votat, ku për tre herë me radhë ai mori përkrahjen vetëm të 10 deputetëve që votuan për, nga 61 sa duhet për t’u emëruar në pozitën e nënkryetarit.

Partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, votoi kundër emërimit të Simiqit për nënkryetar.

Për shkak të dështimit të tre herë me radhë të Simiqit, Lista Serbe nuk hoqi dorë nga të propozuarit e tij për këtë pozitë dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, sipas rregullores tha se duhet që në praninë e Listës Serbe të hidhet short për një emër të ri për nënkryetar nga komuniteti serb.

SHARE